Ebooks

 Arbëreshët e Italisë përbëjnë një diasporë të kahershme historike, të shtrirë në rreth 50 vendbanime në krahinat e Kalabrisë, Puljes, Bazilikatës, Molizes dhe në Sicili, po edhe një “diasporë të diasporës”, që është “shprishur” e mërguar me kohë gati në të gjitha qendrat urbane të Italisë Jugore (Kozencë, Napoli, Palermo, Bari etj. ) dhe në shumë nga metropolet e Italisë së Veriut (Romë, Milano, Torino, Firence etj. ). Të shumta janë sot edhe “networket” arbëreshe në vise të tjera të Evropës Perëndimore, sidomos në qytetet e mëdha industriale të Gjermanisë, Francës, Zvicrës etj. , si dhe në Amerikë e deri në Australi. Sipas disa studiuesve të autoritetshëm të antropologjisë sociale, sot në Itali janë rreth njëqind mijë arbëreshë, shumica edhe shqipfolës (albanofonë), si dhe gati po aq të tjerë që e pranojnë dhe e pohojnë se janë me origjinë etnike nga Shqipëria, ndonëse tashmë janë vetëm italishtfolës. 

Historia e Italisë në këta katër-pesë shekujt e fundit dëshmon se arbëreshët janë shquar gjithandej si bujq e punëtorë të mirë, si qytetarë të devoçëm dhe kanë rrojtur e rrojnë në harmoni të plotë me fqinjët e tyre italianë, ndonëse kanë ruajtur me krenari gjuhën shqipe dhe traditat kulturore e lidhjet shpirtërore me etninë prej nga e kanë zanafillën. Edhe sot, arbëreshët thonë se janë “gjak i shprishur nga Albania”, porse kjo gjë nuk i ka penguar ata për t’u përfshirë me plot dinjitet në rrjedhat e zhvillimeve pozitive të jetës në atdheun e tyre të dytë, në Itali. Ndihmesa e arbëreshëve të Italisë në shumë fusha (dhe në të gjitha periudhat historike me rëndësi për popullin italian) ka qenë e dukshme dhe e njohur nga të gjithë. Në mënyrë të veçantë mund të përmendet ndihmesa e tyre në luftërat garibaldine për bashkimin e Italisë, ku arbëreshët e Kalabrisë dhe të Sicilisë qenë në ballë të luftëtarëve më të shquar, aq sa vetë Xhuzepe Garibaldi i pat quajtur ata “heronj të njëmijë luftërave” dhe, si mirënjohje e shpërblim për ta, ofroi një shumë të madhe të hollash për mëkëmbjen e Kolegjit Arbëresh të Shën-Adrianit në Shën-Mitër Koronë. 

Arbëreshët, gjatë periudhës tashmë pesëshekullore në Itali, kanë formuar edhe një fizionomi të tyren në lëmin e kulturës, të artit dhe, sidomos, të letërsisë. Nga kjo diasporë kanë dalë poetë dhe studiues të shquar të përmasave evropiane, si Jeronim de Rada, Vinçenc Dorsa, Zef (Giuseppe) Skiro Senior etj. , të cilët mbeten figura të mëdha mendore, politike e kulturore të Rilindjes Shqiptare në shek. XIX. Këta burra të shquar italo-shqiptarë, veprat e tyre, si dhe jeta e puna e mëtejshme e bërë nga arbëreshët në hullinë e shembullin e tyre për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe e kulturën arbëreshe, meritojnë të bëhen të njohura jo vetëm në librat studimorë për dialektet, folklorin dhe shkrimtarinë arbëreshe, por edhe nëpërmjet medias e sidomos me anën e dokumentarëve shkencorë. 
©2019 GoogleSite Terms of ServicePrivacyDevelopersArtistsAbout Google|Location: United StatesLanguage: English (United States)
By purchasing this item, you are transacting with Google Payments and agreeing to the Google Payments Terms of Service and Privacy Notice.