Viktor Canosinaj e nisi aktivitetin letrar në moshë të re, duke botuar vjersha e tregime. Libri i tij i parë, një novelë për fëmijë, u botua në vitin 1981. Në vitin 1984 u pasua nga një roman me temë historike po për fëmijë. Në vitin 1989 botohet romani i tij i parë për të rritur “ Katër yje në qytet”, i cili fitoi çmim kombëtar dhe tirazhi prej 8000 kopjesh u shit brenda një kohe të shkurtër.
Pas një ndërprerjeje prej disa vitesh, Viktor Canosinaj i rikthehet përsëri letërsisë, kryesisht në romanin për të rritur dhe për fëmijë. Ai ka botuar disa romane për të rritur dhe rreth 20 libra për fëmijë e të rinj, duke u bërë brenda pak viteve një nga autorët më të lexuar në vend. Ka fituar çmimin e Ministrisë së Kulturës për librin më të mirë për fëmijë e të rinj në vitet 1996 dhe 2002. Romani i tij “Meriyll” është renditur në Listën e Nderit të IBYY-t për vitin 2002. Pas një anketimi të kryer nga UNICEF-i, Lëvizja “Mjaft” dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë, në vitin 2006, Viktor Canosinaj u shpall shkrimtari më i lexuar për fëmijë e të rinj. Ai vazhdon ta ruajë këtë pozicion në mënyrë të pandryshuar dhe disa nga romanet e tij janë shndërruar në bestseller. Në vitin 2008 mori pjesë në Festivalin e Librit në Berlin.